Kriza e strehimit në Spanjë, zjarrfikësit i bashkohen protestës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.10.2026, 09:06

Zjarrfikësit në Madrid iu bashkuan protestës kundër rritjes së qirave dhe dëbimeve nga banesat, duke u pritur me duartrokitje nga mijëra demonstrues. Protestat u zhvilluan në rreth 50 qytete të Spanjës, ku qytetarët kërkuan strehim të përballueshëm dhe mbrojtje më të fortë për qiramarrësit. Mobilizimi u përforcua pas rastit të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila u dëbua nga banesa ku kishte jetuar prej vitit 1956, pasi qiraja iu rrit nga rreth 500 në 2,650 euro në muaj.

Madridi dhe Barcelona janë tregjet më të shtrenjta të qirave, me mesatare përkatësisht 22.70 dhe 23.80 euro për metër katror. Në nivel kombëtar, qiratë u rritën me 8.5% gjatë vitit 2025, ndërsa në Madrid rritja arriti 9.7%. Banka e Spanjës vlerëson se vendit i mungojnë rreth 700 mijë banesa. Protestuesit kërkojnë uljen e qirave, kufizime për apartamentet turistike dhe fondet e investimeve, si dhe masa më të forta kundër dëbimeve.

Protestat vijuan pasi parlamenti rrëzoi dy dekretet e qeverisë së Pedro Sanchezit për mbrojtjen e qiramarrësve. Masat parashikonin pezullimin e disa dëbimeve deri në vitin 2030, zgjatjen e kontratave dhe kufizime ndaj abuzimeve me qiratë sezonale e apartamentet turistike. Ndërkohë, rasti i Abascal u zgjidh pas negociatave me pronarët, me marrëveshjen që ajo të rikthehet në banesë me kontratë tetëvjeçare dhe qira jo më të lartë se 30% e pensionit të saj. Organizatat e qiramarrësve paralajmërojnë se mobilizimi do të vazhdojë dhe kërkojnë edhe një grevë të përgjithshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit