Gjashtë fëmijë që frekuentojnë një kopsht në qytetin e Korçës janë dërguar me urgjencë në spital gjatë ditës së sotme, me simptoma që dyshohet se lidhen me intoksikim ushqimor.
Të miturit po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor në repartin e Pediatrisë pranë Spitalit Rajonal të Korçës. Mjekët bëjnë me dije se, sipas të dhënave paraprake, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën.
Dyshimet kryesore të ngjarjes lidhen me ushqimin e konsumuar nga fëmijët brenda ambienteve të kopshtit. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore kanë nisur marrjen e mostrave për të kryer analizat laboratorike që do të përcaktojnë shkakun e saktë të intoksikimit.
Ngjarja ka vënë në lëvizje edhe Policinë e Shtetit, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Në fokus të verifikimeve do të jenë standardet e përgatitjes, ruajtjes dhe shërbimit të ushqimit në këtë institucion arsimor.