Tre ditë përballje me flakët kanë lënë pas dëme të konsiderueshme në territorin e Bashkisë Peqin. Bilanci paraprak flet për tre banesa të pabanuara të djegura plotësisht, si dhe mbi 50 hektarë sipërfaqe të shkatërruar me shkurre, ullinj, dru frutorë dhe kultura të tjera bujqësore.
Këtë të shtunë situata paraqitet nën kontroll, ndërsa forcat e ndërhyrjes vijojnë punën në terren për të neutralizuar vatrat e mbetura dhe për të parandaluar ndonjë riaktivizim të mundshëm të flakëve.
Vatrat më problematike janë regjistruar në Përparim, Pajovë dhe në fshatrat kufitare me qarkun e Tiranës. Flakët përshkuan me shpejtësi sipërfaqe të mëdha, duke iu afruar rrezikshëm edhe zonave të banuara.
Për të parandaluar një katastrofë akoma më të madhe, në ndihmë të zjarrfikësve të Peqinit u angazhua një operacion masiv me dhjetëra mjete dhe forca nga 11 bashki të tjera. Trupat u pozicionuan pranë shtëpive për të bërë të mundur mbrojtjen e tyre nga përparimi i zjarrthyerjes. Operacioni u vështirësua së tepërmi nga era e fortë dhe terreni i thyer malor.
Përveç sipërfaqeve me shkurre, dëmi më i madh u ka ndodhur drejtpërdrejt fermerëve lokalë. Djegia e plantationeve të ullinjve dhe pemëve frutore përbën një goditje të rëndë për ekonominë e familjeve rurale. Banorët e zonave të prekura kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse për dëmshpërblimin e kulturave të dëmtuara, në mënyrë që të zbuten pasojat ekonomike.
Teksa në komunitet janë ngritur pretendime jo të konfirmuara se zjarret mund të kishin prapavijë të qëllimshme lidhur me debatin mbi “paketën e maleve”, hetimet paraprake zyrtare orientojnë drejt pakujdesisë.
Dyshimet kryesore lidhen me një veprim të papërgjegjshëm në fshatin Galush, ku një person dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur shkurret, por flakët i kanë dalë nga kontrolli duke u përhapur me shpejtësi. Personi i dyshuar është shoqëruar tashmë në polici, ndërsa organet kompetente po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore.
Aktualisht, përveç monitorimit të terrenit nga ekipet e emergjencave, vëmendja e autoriteteve vendore është përqendruar te vlerësimi i saktë i dëmeve dhe planifikimi i ndihmës për familjet e prekur.