Një tjetër denoncim për dhunë në familje është regjistruar në Lavrio të Greqisë, në një kohë kur vendi po përballet me një tjetër ngjarje të rëndë, ku një 32-vjeçare dhe partneri i saj 33-vjeçar mbetën të plagosur rëndë pas një sulmi të dyshuar nga ish-partneri i gruas.
Në këtë klimë shqetësuese, një 23-vjeçare greke, nënë e një fëmije dhe shtatzënë me fëmijën e dytë, ka rrëfyer për mediat greke historinë e saj, duke pretenduar se prej vitesh jeton nën frikë, kërcënime dhe presion të vazhdueshëm.
Ajo akuzon ish-partnerin e saj, një 31-vjeçar shqiptar, për dhunë dhe kërcënime të përsëritura.
Sipas saj, 31-vjeçari, i cili, bazuar në informacionet e publikuara, ndodhet në Greqi me status azili, është aktualisht në kërkim nga policia greke në kuadër të procedurës së flagrancës.
Kërkimi ndaj tij lidhet me një incident të ndodhur një ditë më parë në një kënd lojërash në zonën e Pyllit të Palmave në Lavrio.