Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore që lidhet me vdekjen e Xhuana Nikollajt, ku janë administruar komunikime dhe dëshmi që hedhin dritë mbi periudhën para ngjarjes.
Në bisedat me të motrën, Xhuana kishte folur për shqetësimet dhe situatën e vështirë në të cilën ndodhej. Sipas të dhënave të dosjes, motra e kishte këshilluar që t’i drejtohej policisë dhe të denonconte Eraldo Fizin për dhunën e pretenduar. E reja, megjithatë, kishte refuzuar, pasi kishte shprehur frikën se një denoncim mund të sillte pasoja për babain e saj.
Edhe motrat e Xhuanës, në dëshmitë e tyre për media, kanë folur për debate të përsëritura mes të resë dhe Fizi. Sipas deklarimeve të tyre, ai i dërgonte video ku shfaqej duke drejtuar automjetin me shpejtësi të lartë dhe i thoshte se do të lëndonte veten për shkak të ndarjes.
Në dëshmi janë ngritur gjithashtu pretendime për presion dhe kërcënime që lidhen me babain e Xhuanës. Sipas familjarëve, Fizi e dinte lidhjen e fortë që ajo kishte me të atin dhe dyshohet se e përdorte këtë si mënyrë për ta frikësuar.
Një tjetër episod i përfshirë në dosje lidhet me dhunën e pretenduar. Sipas dëshmive, Fizi dyshohet se i kishte thënë Xhuanës se do të shkonte te babai i saj dhe do t’i tregonte se ai kishte qenë personi që e kishte dhunuar një natë më parë.
Hetuesit po verifikojnë edhe një konflikt tjetër që dyshohet se kishte nisur pas një ekskursioni pune ku Xhuana kishte marrë pjesë gjatë festave të 7 dhe 8 Marsit. Në dosje ngrihet dyshimi se Fizi e kishte ndjekur të renë pas përfundimit të ekskursionit.