Këngëtarja Eli Fara ka reaguar për herë të parë pas publikimit në rrjet të videove intime, duke thënë se ndihet e lënduar nga cenimi i privatësisë dhe kthimi i jetës së saj personale në spektakël. Ajo thekson se nuk ka arsye të turpërohet dhe se përgjegjësia u takon atyre që filmojnë, publikojnë apo shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e personit. Fara deklaron se çështjen do t’ia lërë drejtësisë, ndërsa u bën apel njerëzve të ndalojnë shpërndarjen e materialeve dhe të mendojnë për pasojat që shkaktojnë te ajo dhe familja e saj.
"Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurinë për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time. Në këtë shoqëri, grave u kërkohet shpesh të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim. Sot po e përjetoj vetë sa e rëndë është të shohësh jetën tënde private të kthyer në spektakël dhe të ndiesh se, për disa njerëz, çdo gjë që ke ndërtuar vlen më pak se një moment intim. Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu. Intimiteti i një gruaje nuk është leje për ta poshtëruar. Të qenit artiste nuk ma heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Këtë të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj. Këtë çështje do t'ia lë në dorë drejtësisë. Nga publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni. Falënderoj nga zemra familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur, publikisht apo privatisht. Dashuria dhe mirëkuptimi juaj më japin forcë. Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart", shkruan Eli.