SI SOT/ Vilma Nushi, Ervin Mata, milionat, kullat dhe pikëpyetjet pa përgjigje

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 03.10.2026, 14:21

Sot do të kujtojmë një prej çështjeve më të debatueshme të koncesioneve në shëndetësi: atë të “Check Up”-it dhe biznesmenes Vilma Nushi. Kontrata për Kontrollin Mjekësor Bazë u firmos në janar 2015 me kompaninë 3P Life Logistic, e lidhur me Nushin përmes Marketing & Distribution. Në vitet pasuese, koncesioni është përballur me kritika dhe auditime për mënyrën e realizimit të shërbimit dhe përdorimit të fondeve publike. Raportime të vitit 2026 kanë ngritur sërish pikëpyetje mbi faturimet dhe marrëdhëniet financiare të kompanive të lidhura me Nushin. Një investigim i publikuar në qershor pretendon për mbi 28 milionë euro autofaturime të kompanive të lidhura me të, ndërsa raportime të tjera kanë vënë në pikëpyetje faktin që nga 20 laboratorë të parashikuar në kontratë, sipas tyre, janë ndërtuar vetëm tre.

Në qendër të vëmendjes është vendosur edhe “Ekspozita Building”, kulla që po ndërtohet nga Victoria Construction, kompani e drejtuar nga Luan Mata, babai i Ervin Matës. Sipas dokumenteve financiare të cituara nga media investigative, në vitin 2018 Marketing & Distribution ka kaluar rreth 116 milionë lekë të rinj, ose rreth 1.1 milionë euro, drejt Victoria Construction, përpara miratimit të lejes së zhvillimit të kullës në vitin 2019. Raportime të mëvonshme kanë evidentuar edhe një shumë prej rreth 351 milionë lekësh të regjistruar si investim në vitin 2021. Kompania e Nushit ka deklaruar për mediat se transferimet lidhen me një kontratë noteriale financimi në ndërtim, sipas së cilës do të përfitonte sipërfaqe ndërtimore në raport me shumën e investuar.

Emri i Ervin Matës e ka bërë këtë lidhje edhe më të debatueshme publikisht, pasi ai është arrestuar në Brazil pas një kërkese të autoriteteve shqiptare në kuadër të një hetimi për trafik droge. Sipas raportimeve, Victoria Construction dhe kulla “Ekspozita Building” janë përfshirë në hetime të SPAK-ut lidhur me dyshime për burimin e parave të investuara në projekt. Si u përdorën paratë e “Check Up”-it, cilat kompani përfituan prej tyre dhe çfarë do të provojnë përfundimisht hetimet e SPAK-ut?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit