Detaje të reja kanë dalë nga kërcënimi ndaj biznesmenit Zija Shulku, pronar i një pike karburanti në Peshkopi. Policia ka arrestuar një 21-vjeçar, Engjell Karoshi, i dyshuar si autori i ngjarjes. Sipas policisë, i riu u identifikua dhe u arrestua brenda pak orësh nga momenti i kërcënimit, pasi dyshohet se kishte vendosur në ambientet e karburantit një kuti të dyshimtë.
Sipas hetimeve, rreth orës 14:30 të 2 tetorit, 21-vjeçari dyshohet se la një kuti pice, mbi të cilën kishte vendosur një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për një bombë të telekomanduar. Mbi kuti ishte vendosur edhe një letër ku biznesmenit i kërkoheshin 50 mijë euro, që duhej të paguheshin në kriptomonedha. Në mesazh pretendohej se kutia përmbante C4 dhe se do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej në kohë, nëse ajo lëvizte ose nëse njoftohej policia.
Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, kutia u hap dhe u kontrollua, duke rezultuar se nuk kishte lëndë shpërthyese brenda saj. 21-vjeçari është arrestuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse në këtë rast janë përfshirë edhe persona të tjerë.