Jo çdo histori nga një spital duhet të lidhet me një ankesë apo një problem. Ka edhe momente që meritojnë të publikohen pikërisht sepse na tregojnë anën tjetër të mjekësisë.
Në një video të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, shihet një mjek duke punuar me një pacient të vogël, ndërsa mënyra se si komunikon dhe bashkëpunon me të tërheq menjëherë vëmendjen.
Me durim, kujdes dhe shumë kreativitet, mjeku përpiqet ta bëjë fëmijën të ndihet i qetë dhe i sigurt gjatë trajtimit. Një qasje që tregon se përballë një pacienti të vogël, përveç profesionalizmit, nevojitet edhe shumë empati dhe njerëzillëk.
Sepse mjekësia nuk është vetëm aparatura, teknologjia apo njohuritë profesionale. Është edhe mënyra se si i afrohesh një pacienti, si i largon frikën dhe si e bën të ndihet i dëgjuar dhe i respektuar.
Në një kohë kur shpesh dëgjojmë histori që na zhgënjejnë, raste të tilla janë ato që duhet të marrin vëmendje.
Një mjek që nuk trajton vetëm pacientin, por kujdeset edhe për mënyrën se si ai ndihet.