Një qytetar nga Shkodra i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që, sipas tij, e ka lënë pa fjalë.
Qytetari tregon se kishte parkuar në një hapësirë të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara, pasi babai i tij është me aftësi të kufizuara dhe e ka thuajse të pamundur të lëvizë pa ndihmë.
Sipas tij, automjeti është lënë aty vetëm për pak minuta, me qëllimin për të zbritur babain dhe për ta shoqëruar brenda ambienteve të spitalit. Më pas, qytetari thotë se është larguar për të kryer këtë detyrë dhe është kthyer pak më vonë.
Por në kthim, përballë tij ka qenë një tjetër “surprizë”: gjoba e vendosur nga policia.
Qytetari ngre pyetjen se përse është ndëshkuar në një vend parkimi të dedikuar pikërisht për personat me aftësi të kufizuara, kur automjeti, sipas dëshmisë së tij, është përdorur për të transportuar babain e tij, i cili ka vështirësi të mëdha në lëvizje.
Rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po zbatohen rregullat e parkimit dhe, mbi të gjitha, nëse në raste të tilla merret parasysh situata konkrete e personit me aftësi të kufizuara dhe nevoja për ta shoqëruar në spital.