Dhjetëra biznese në Kosovë po përballen me një problem shqetësues: humbjen e papritur të qasjes në llogaritë e tyre të WhatsApp-it, të cilat për shumë prej tyre janë kthyer në mjetin kryesor të komunikimit me klientët.
Pronarë biznesesh tregojnë se kanë marrë kode ose njoftime të dyshimta për aktivizim të llogarisë, ndërsa më pas janë bllokuar dhe nuk kanë mundur ta rikthejnë qasjen. Në disa raste, në WhatsApp kanë qenë të ruajtura kontakte të klientëve, oferta, fatura dhe dokumente të rëndësishme.
Eksperti i sigurisë kibernetike Korab Keqekolla thotë se personalisht ka marrë mbi 100 kërkesa për ndihmë, ndërsa në komunitetin KOSINT raportohet për qindra raste të tjera. Megjithatë, ende nuk ka një numër zyrtar të personave të prekur.
Dyshohet se problemi mund të lidhet me keqpërdorimin e protokollit telefonik SS7, përmes të cilit mund të ridrejtohen kodet e verifikimit, ose me ndonjë problem në procesin e verifikimit të llogarive në platformat e Meta-s. Ekspertët theksojnë se pa të dhëna teknike konkrete, këto mbeten vetëm hipoteza.
Vala dhe IPKO deklarojnë se nuk kanë konstatuar cenueshmëri në sistemet e tyre. IPKO ka bërë të ditur se ka pranuar 13 raportime nga klientët, ndërsa Vala thotë se ka marrë një numër të konsiderueshëm ankesash.
Përdoruesve u rekomandohet aktivizimi i verifikimit në dy hapa, të mos klikojnë kode apo njoftime të dyshimta dhe bizneset të kenë edhe mënyra alternative komunikimi me klientët, në rast se humbin qasjen në WhatsApp.