Eldi Dizdari, i njohur edhe me emrin Denis Matoshi, është ekstraduar zyrtarisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës. 37-vjeçari, i cili në botën e krimit njihej edhe me pseudonimet “Alduth” apo “Shqiptari i gjatë”, do të vuajë në shtetin belg dënimin prej 10 vitesh burg të dhënë nga Gjykata e Anversës për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas raportimeve të mediave belge, autoritetet e konsiderojnë Dizdarin si një nga figurat me rol kyç në organizatën e fuqishme kriminale “Kompania Bello”. Hetimet e SPAK dhe autoriteteve europiane lidhin emrin e tij dhe të bashkëpunëtorëve si Dritan Gjika me trafikimin e të paktën 50 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt tregut të Bashkimit Europian.
Dizdari ishte shpallur në kërkim prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Ai u arrestua në Dubai në vitin 2020 gjatë një operacioni të madh policor të shtrirë në disa shtete. Emri i tij në Shqipëri është lakuar gjithashtu në dosje të rënda hetimore, përfshirë ngjarjen e bujshme të 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha.
Transferimi i tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës shënon mbylljen e procesit të ekstradimit dhe fillimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për veprimtarinë e tij kriminale.