Zemra e kryeqytetit po përgatitet të përballojë një tjetër goditje me betonin e kullave multi-katëshe. Parku “Rinia”, një nga të paktat hapësira të gjelbra të mbetura në qendër të Tiranës, po futet përfundimisht nën hijen e ndërtimeve gjigante. Kompleksi simbolik “Taiwan” pritet të rrafshohet për t'i hapur rrugën projektit më të ri të pagëzuar si “TIRANA FOUNTAIN PLAZA”.
I ashtuquajturi konkurs ndërkombëtar nxori fituese studion daneze “Bjarke Ingels Group” (BIG), midis pesë propozimeve nga studio të njohura ndërkombëtare. Por pas fasadës prestigjioze të emrave të mëdhenj të arkitekturës dhe jurive ndërkombëtare, fshihet i njëjti skenar agresiv i transformimit të kryeqytetit në një pyll betonizimi.
Ndërsa reagimet dhe shqetësimet e qytetarëve rriten, Kryeministri Edi Rama ka nxituar të garantojë se ndërtimi do të kryhet rreptësisht brenda perimetrit të pronës private dhe se hapësira e gjelbër e Parkut "Rinia" nuk do të preket.
Megjithatë, garancitë verbale vështirë se e zbutin zemërimin publik. Ngritja e një kulle të tillë masive në mes të një parku publik ngre supozime alarmante për fatin e hapësirave të përbashkëta qytetare, presionin ndaj infrastrukturës ekzistuese dhe tjetërsimin përfundimtar të identitetit historik e urban të Tiranës. Hapësirat publike po zëvendësohen me beton, ndërsa qendra e kryeqytetit vijon të shndërrohet në një kantier të pafundëm kullash.