“Varg aksidentesh”: Humb jetën 23-vjeçari egjiptian, autoambulanca me të plagosurin përplaset gjatë rrugës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 01.10.2026, 18:53

Një aksident i rëndë automobilistik ka përfunduar me pasojë fatale për një 23-vjeçar me shtetësi egjiptiane dhe ka lënë të plagosur një 18-vjeçar në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, pranë fshatit Larushk.

Nga të dhënat paraprake mësohet se drejtuesi i mjetit, 18 vjeç, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar. Në përpjekje për të shmangur përplasjen me një automjet tip “Volkswagen” që po vinte përballë, makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur fort me barrierat anësore.

Si pasojë e goditjes së fortë, ka ndërruar jetë në vend 23-vjeçari egjiptian Elsayed Abdulla i cili ndodhej në vendin e pasagjerit. Viktima punonte si mekanik në sipërmarrjen familjare të 18-vjeçarit që drejtonte mjetin.

Skenari i kësaj ngjarjeje ka marrë përmasa edhe më dramatike gjatë transportit të të plagosurve. Ndërsa autoambulanca po dërgonte me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë 18-vjeçarin e dëmtuar, ajo është përplasur me një tjetër automjet në afërsi të kryeqytetit. Fatmirësisht, nga kjo përplasje e dytë nuk ka pasur të lënduar shtesë mes mjekëve apo të dëmtuarit.

I plagosuri është marrë më pas nga një autoambulancë e dytë e ardhur nga Kamza dhe është shoqëruar për në Spitalin e Traumës, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Forcat e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës, shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti të dyfishtë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit