Një 51-vjeçar nga Shkodra ka humbur jetën disa ditë pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës, ku mbeti i bllokuar pas shkëputjes së një ashensori.
Viktima është identifikuar si Ilir Laçevi, banues në Shkodër, i cili po punonte në një dyqan bojërash në Kryebushat kur ndodhi ngjarja.
Sipas të dhënave paraprake, Laçevi ndodhej në katin e sipërm të objektit dhe po përdorte ashensorin për të zbritur në katin e poshtëm disa kova me bojë. Ashensori kishte një kapacitet mbajtës deri në 500 kilogramë, ndërsa dyshohet se në të ishin vendosur rreth 1000 kilogramë më shumë se kapaciteti i lejuar.
Për shkak të peshës së rëndë, ashensori është shkëputur dhe në momentin e aksidentit 51-vjeçari ka tentuar të kërcejë prej tij për të shpëtuar. Ai ka mbetur mes shinave, duke pësuar dëmtime të rënda, përfshirë fraktura në këmbë dhe në njërën dorë.
Laçevi u transportua në spital, ku qëndroi për tre ditë nën kujdesin e mjekëve. Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, ai nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të rënda të shkaktuara nga aksidenti.
Gjatë qëndrimit në spital, sipas burimeve policore, 51-vjeçari kishte deklaruar se kishte vendosur një sasi të konsiderueshme bojrash në ashensor, çka dyshohet se ka sjellë tejkalimin e kapacitetit dhe shkëputjen e tij.