Në Shqipëri shqetësim mbetet korrupsioni, krimi i organizuar e pastrimi i parave

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 01.10.2026, 09:34

Shqipëria vijon të regjistrojë nivele të larta të investimeve të huaja, por korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe informaliteti mbeten ndër pengesat kryesore për klimën e biznesit. Në raportin për Klimën e Investimeve në Shqipëri, Departamenti Amerikan i Shtetit evidenton edhe mungesën e fuqisë punëtore, të nxitur nga emigrimi, si dhe produktivitetin e ulët.

Sipas raportit, investitorët e huaj përballen me vështirësi edhe për shkak të konkurrencës së kufizuar dhe kontratave të partneritetit publik-privat, ku në disa raste mungojnë analizat dhe ekspertiza teknike. Shqetësim mbetet edhe çështja e pronave, për shkak të mbivendosjes së titujve të pronësisë, akuzave për korrupsion dhe pasigurisë ligjore, ndërsa disa kompani amerikane janë përballur me mosmarrëveshje që kanë përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar.

Megjithatë, DASH vlerëson potencialin ekonomik të Shqipërisë dhe përmend përparimin në kufizimin e korrupsionit të vogël përmes digjitalizimit të shërbimeve publike. Raporti evidenton gjithashtu problemet me sistemin gjyqësor, ku vendet vakante dhe ngarkesa e çështjeve, veçanërisht në Gjykatën e Apelit, shkaktojnë vonesa. Në tërësi, Shqipëria paraqet potencial për investime, por përmirësimi i klimës së biznesit mbetet i lidhur me adresimin e korrupsionit, pronës, drejtësisë, fuqisë punëtore dhe konkurrencës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit