Futbolli shkodran ka humbur një prej figurave të tij të njohura. Ismet Hoxha është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, pas një infarkti, duke lënë pas një jetë të lidhur ngushtë me futbollin, veçanërisht me Vllazninë.
I lindur në Shkodër më 23 mars 1948, Hoxha e nisi rrugëtimin e tij me ekipet e moshave të Vllaznisë, përpara se të kalonte te Partizani. Me skuadrën kryeqytetase, në vitin 1968, ai fitoi Kupën e Republikës, ndërsa me 7 gola të shënuar u shpall golashënuesi më i mirë i kompeticionit.
Në vitin 1970 u rikthye në Shkodër për të veshur sërish fanellën kuqeblu. Me Vllazninë luajti deri në vitin 1977, duke fituar dy tituj kampionë dhe një Kupë Republike, ndërsa u shndërrua në një prej sulmuesve kryesorë të skuadrës.
Hoxha veshi edhe fanellën e Kombëtares shqiptare, me të cilën regjistroi tri ndeshje. Për disa vite ishte gjithashtu kapiten i ekipit Shpresa, që arriti të shpallej dy herë nënkampion i Ballkanit.
Por lidhja e tij me Vllazninë nuk përfundoi me varjen e këpucëve. Pas karrierës si futbollist, ai vijoi punën në klub si trajner i ekipeve të moshave. Në vitin 2000 drejtoi ekipin e të rinjve drejt titullit kampion, ndërsa gjatë viteve të tij si trajner kontribuoi në formimin e futbollistëve që më pas u ngjitën te skuadra e parë dhe te ekipet kombëtare.
Ismet Hoxha shërbeu gjithashtu në role drejtuese pranë klubit, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij sportive mes fushës, pankinës dhe drejtimit të Vllaznisë.
Për kontributin e tij shumëvjeçar në futboll, në vitin 2022 u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Me ndarjen e tij nga jeta, futbolli shkodran humbet një emër që për dekada i shërbeu sportit dhe Vllaznisë në role të ndryshme. Një rrugëtim që nisi si djalosh në ekipet e moshave dhe përfundoi me një jetë të tërë kushtuar futbollit.