Shqipëria e ka mbyllur me sukses transfertën ndaj San Marinos, duke triumfuar me rezultatin 3-0. Kuqezinjtë dominuan pjesën më të madhe të takimit dhe siguruan tri pikët pa pësuar gol.
Skuadra shqiptare e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, duke ushtruar presion që në minutat e para dhe duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën e San Marinos. Muçi dhe Asllani provuan të rrezikonin nga distanca, ndërsa portieri vendas u detyrua të ndërhynte në disa raste.
Epërsia e Shqipërisë u konkretizua në minutën e 21-të. Pas një goditjeje këndi, Manaj devijoi topin drejt shtyllës së dytë, aty ku Mehmeti ishte në vendin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë dhe për të vendosur rezultatin 0-1.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, kuqezinjtë gjetën edhe golin e dytë. Manaj mori përsipër ekzekutimin e një goditjeje dënimi, me portierin e San Marinos që grushtoi topin, por Uzuni reagoi shpejt dhe përfitoi nga topi i kthyer, duke shënuar për 0-2. Episodi u verifikua edhe nga VAR-i dhe pas rreth dy minutash goli u konfirmua.
Me avantazhin e dyfishtë në favor, Shqipëria e uli disi intensitetin, duke i dhënë San Marinos më shumë hapësira. Megjithatë, vendasit nuk arritën të krijonin raste të pastra dhe pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-2.
Në fraksionin e dytë, San Marino hyri më kërkues dhe në minutën e 57-të iu afrua golit, por Sherri reagoi në kohë dhe devijoi topin, duke shmangur rrezikun.
Shqipëria mori sërish kontrollin e lojës dhe në minutën e 65-të vulosi praktikisht fatin e takimit. Pas një tjetër goditjeje këndi, topi përfundoi te Manaj, i cili pas tentativës së parë arriti të rikuperonte dhe të mposhte portierin vendas për 0-3.
Në minutat e mbetura, trajneri Maran kreu disa zëvendësime, duke u dhënë mundësi edhe lojtarëve të tjerë. Hoxha pati një rast për të shënuar golin e katërt, ndërsa në minutën e 80-të Hasa hyri në fushë në vend të Mehmetit.
Asgjë nuk ndryshoi deri në vërshëllimën e fundit dhe Shqipëria u largua nga San Marino me një fitore të pastër 3-0, tri pikë të rëndësishme dhe portën e paprekur.
Por fitorja nuk ishte lajmi i vetëm pozitiv për kuqezinjtë. Në sfidën tjetër të grupit, Finlanda dhe Bjellorusia u ndanë në barazim pa gola, 0-0. Ky rezultat i lejoi Shqipërisë të ngjitej në krye të renditjes.
Pas dy ndeshjeve, Shqipëria kryeson grupin C1 me 6 pikë. Finlanda ka 4 pikë, Bjellorusia 1 pikë, ndërsa San Marino mbetet pa pikë.
Sfida e radhës për kuqezinjtë do të jetë të shtunën, në orën 15:00, sërish në transfertë. Përballë do të jetë Finlanda, në një ndeshje ku Shqipëria do të synojë të ruajë kreun e grupit.