Një 70-vjeçare është bërë viktimë e një sulmi të rëndë në banesën e saj në Akërni të Vlorës.
Për ngjarjen, e cila dyshohet se ka ndodhur më 26 shtator, policia ka shpallur në kërkim një 43-vjeçar, banor në të njëjtin pallat me të moshuarën.
Sipas hetimeve paraprake, Fatos Ymeri dyshohet se ka shkuar në banesën e 70-vjeçares dhe ka trokitur në derë. Në momentin që ajo ka hapur, 43-vjeçari dyshohet se e ka goditur në kokë me një sëpatë, duke bërë që e moshuara të humbiste ndjenjat.
Pas sulmit, ai dyshohet se ka kontrolluar banesën dhe ka marrë një shumë prej rreth 70 mijë lekësh.
Por ngjarja dyshohet se nuk është ndalur me grabitjen. Sipas të dhënave të hetimit, para se të largohej nga banesa, 43-vjeçari dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj 70-vjeçares.
Pas denoncimit, policia ka nisur hetimet dhe ka marrë deklarimet e viktimës. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe sëpata që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit.
Fatos Ymeri vijon të jetë në kërkim, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale. Sipas policisë, 43-vjeçari dyshohet gjithashtu se është përdorues i lëndëve narkotike.