Bulqiza po përjeton një revolucion të vërtetë ekologjik, dhe meritën kryesore për këtë e ka vizioni i jashtëzakonshëm i kryetares së bashkisë, Festime Mjeshtri. Ndërsa qytetet europiane shpenzojnë miliona euro për të blerë kamionë e kontenierë modernë, Bulqiza ka zgjedhur një rrugë shumë më bio, me emision zero karboni: riciklimin përmes përtypjes.
Pse të paguash punonjës pastrimi kur mund të nxjerrësh lopët në xhiro me plot dinjitet në mes të vendit?
Meqenëse zonja kryebashkiake ka vendosur me aq përkushtim të kursejë energjinë dhe të "mbrojë" punën e saj, qyteti është lënë nën mëshirën e maleve me plehra. Mutacioni urban nuk vonoi: lopët e Bulqizës nuk kanë më nevojë për livadhe apo kullota të mërzitshme malore. Ato tashmë kanë gjetur qendrën ideale tregtare për të psonisur – pirgjet e mbeturinave buzë rrugës. Një menu e pasur me kartona, qese plastike dhe mbetje ushqimore, e shërbyer me shije në çdo cep të qytetit.
Sigurisht, kjo nuk është hera e parë që qytetarët dhurojnë pamje të tilla madhështore. Albumi fotografik i Bulqizës po pasurohet çdo ditë e më shumë me këtë bashkëjetesë idilike mes njeriut, kafshës dhe mbeturinave.