Shtetasit e Kosovës që jetojnë në Austri do ta kenë më të lehtë procesin e konvertimit të patentës së vozitjes, pas ndryshimeve që kanë hyrë në fuqi nga 1 shtatori 2026.
Austria vazhdon t’i njohë patentat e Kosovës për të gjitha kategoritë për qëllim të konvertimit në patentë austriake dhe gjatë kësaj procedure nuk kërkohet provim praktik i vozitjes.
Ndryshimi i ri lidhet me rastet kur autoritetet austriake e marrin patentën origjinale për kontroll teknik ose kriminalistik, për të verifikuar autenticitetin e saj. Në këto raste, personit do t’i lëshohet një vërtetim i përkohshëm zyrtar, me të cilin mund të vazhdojë të vozisë derisa të përfundojë verifikimi.
Në dokument shënohen kategoritë që posedon drejtuesi dhe ai vlen deri në lëshimin e patentës austriake, por jo më shumë se gjashtë muaj nga vendosja e banimit të zakonshëm në Austri.
Ndërkohë, patentat e Kosovës mund të përdoren në Austri për gjashtë muaj pas vendosjes së banimit. Pas kësaj periudhe, ato duhet të konvertohen në patentë austriake.
Ndryshime ka edhe për kategoritë profesionale të vozitjes (C, C1, CE, C1E, D, D1, DE dhe D1E), ku pas moshës 60-vjeçare vlefshmëria zgjatet nga dy në pesë vjet, me kusht të raportit mjekësor për aftësinë për vozitje.
Gjithashtu, patentat ndërkombëtare sipas Konventës së Vjenës tashmë mund të kenë vlefshmëri deri në tre vjet, në vend të një viti.