Një qytetar nga Elbasani i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar një problematikë mjedisore në zonën e Krastës, konkretisht në Përroin e Manazieres, një zonë që ndodhet rreth 10 minuta larg qendrës së qytetit.
Qytetari tregon se e ka konstatuar situatën gjatë vrapit të përditshëm në zonën e Krastës dhe, përmes një videoje, kërkon vëmendjen dhe ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Sipas denoncimit, përgjatë rrjedhës së prroit janë hedhur dhe grumbulluar mbetje të ndryshme, ndërsa në disa pjesë të zonës raportohet edhe prania e materialeve që mund të paraqesin rrezik për mjedisin. Qytetari ngre gjithashtu shqetësimin për praninë e minjve në zonë.
Në pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania duket gjendja e prroit dhe mbetjet e shpërndara përgjatë rrjedhës së ujit. Në video vërehen gjithashtu rrjedhje/shkarkime me shkumë, për të cilat qytetari kërkon të verifikohet burimi dhe natyra e tyre.
“Jam një qytetar i Elbasanit që bëj vrap çdo ditë në Krastë dhe e vura re këtë gjë”, shprehet denoncuesi, duke kërkuar që problematika të merret në konsideratë dhe të kryhet një verifikim në terren.
Qytetari kërkon ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për të evidentuar shkakun e ndotjes, për të përcaktuar nëse mbetjet dhe shkarkimet përbëjnë rrezik për mjedisin apo shëndetin publik dhe për të marrë masat e nevojshme për pastrimin dhe rehabilitimin e zonës.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje JOQ Jam nje qytetar i Elbasanit qe bej vrap cdo dite ne kraste e vura re kete gje. Ndotje dhe hedhje të mbetjeve në Prroin e Manazieres, Krastë, Elbasan Nëpërmjet kësaj vidioje kërkoj ndërhyrjen dhe verifikimin e menjëhershëm të një problematike mjedisore në zonën e Krastës, Elbasan, konkretisht në Prroin e Manazieres, rreth 10 minuta larg qendrës së qytetit të Elbasanit. Në këtë zonë konstatohen mbetje të ndryshme, përfshirë materiale që paraqiten si mbetje potencialisht të rrezikshme, si dhe prani të minjve. Në video-n bashkëngjitur dokumentohet gjendja e zonës dhe ndotja e prroit, përfshirë shkarkime/rrjedhje me shkumë dhe mbetje përgjatë rrjedhës së ujit.