KEDS ka njoftuar për ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike gjatë së martës, më 29 shtator, në disa qytete dhe fshatra të Kosovës.
Ndërprerja më e gjatë do të jetë në zonën e Rahovecit, ku banorët e Bellacërkës, Sapniqit dhe Fortesës do të mbesin pa energji nga ora 09:00 deri në 17:00. Sipas KEDS-it, ndërprerja bëhet për shkak të punimeve për ndërrimin e përçuesve dhe konzollave në kuadër të projektit investiv.
Pa energji do të mbesin edhe zona të tjera në Prishtinë, Podujevë, Istog, Deçan, Klinë, Prizren, Han të Elezit dhe veri të Mitrovicës.
Në Prishtinë, disa rrugë si Dëshmorët e Kombit, Sokol Sopi, Ndue Përlleshi, Qendresa, Isa Kastrati dhe Shaqir Igrishta do të kenë ndërprerje nga ora 10:00 deri në 14:00, për shkak të instalimit të sistemit SCADA.
Në Istog, ndërprerjet do të zgjasin deri në 5 orë dhe do të prekin disa fshatra, ndërsa në Klinë disa zona do të mbesin pa rrymë për shkak të punimeve në rrjet.
KEDS ka bërë të ditur se ndërprerjet janë të domosdoshme për mirëmbajtjen e rrjetit, eliminimin e defekteve dhe realizimin e investimeve për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.