Wikipedia ka ndryshuar pjesën hyrëse të biografisë së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke larguar nga përshkrimi fillestar formulimin “kriminel lufte i dënuar”.
Deri më herët, në hyrje të faqes së tij shkruhej: “Hashim Thaçi është politikan kosovar dhe kriminel lufte i dënuar”, ndërsa pas ndryshimit ai prezantohet vetëm si “politikan kosovar”, para se të përmenden postet që ka mbajtur si kryeministër, ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër dhe president.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit nuk është hequr nga Wikipedia, por trajtohet më poshtë në biografi, ku përshkruhet çështja gjyqësore dhe vendimet përkatëse.
Ndryshimi ka ardhur pas reagimeve dhe kundërshtimeve në Kosovë ndaj formulimit të përdorur në pjesën hyrëse të faqes.
Për këtë ka reaguar edhe profesori i UBT-së, Blerton Abazi, i cili kishte ngritur më herët çështjen dhe më pas njoftoi se përshkrimi ishte ndryshuar.
“Pjesa ballore e tekstit u ndryshua, ndërsa poshtë është shtuar shpjegimi i gjithë procesit. Nuk është më e mira, por megjithatë në hapje të faqes nuk figuron teksti i mëparshëm”, ka shkruar Abazi.