Alarm për WhatsApp-in në Kosovë! Qytetarët po humbin llogaritë, KOS-CERT nis hetimet

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 27.09.2026, 15:29

Shqetësimet për sigurinë e llogarive të WhatsApp-it në Kosovë po shtohen, ndërsa KOS-CERT ka bërë të ditur se ka nisur trajtimin e rasteve të raportuara për komprometim të llogarive.

Sipas Darsej Rizajt, bashkëthemelues i “Shkollës Digjitale” dhe “StarLabs”, problemi vazhdon të jetë aktiv dhe rastet nuk po raportohen vetëm nga përdorues të një operatori telefonik.

"Kanë filluar të më shkruajnë sot edhe disa persona që po e humbin qasjen në WhatsApp dhe që janë përdorues të IPKO-s. Këto raste po ndodhin sot, kështu që nuk duket se problemi është i izoluar vetëm te Vala. Problemi është ende aktiv", ka shkruar Rizaj.

Në lidhje me situatën ka reaguar edhe Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike, e cila njofton se është duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse, operatorët e telefonisë mobile dhe partnerët ndërkombëtarë.

KOS-CERT është gjithashtu në kontakt me kompaninë Meta, me qëllim analizimin e rasteve dhe identifikimin e mënyrës se si mund të jenë komprometuar llogaritë.

Deri në përfundimin e analizave, qytetarëve u kërkohet kujdes maksimal.

KOS-CERT rekomandon që përdoruesit të mos ia japin askujt kodin e verifikimit të WhatsApp-it, të aktivizojnë verifikimin me dy hapa dhe të kontrollojnë rregullisht seksionin “Linked Devices”.

Nëse aty shfaqet një pajisje që nuk njihet, ajo duhet të shkëputet menjëherë.

Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos klikojnë në linke të dyshimta që mbërrijnë përmes SMS-it, email-it, WhatsApp-it apo platformave të tjera, sidomos kur kërkohet verifikimi i llogarisë apo dhënia e të dhënave personale.

Një tjetër sinjal alarmi është marrja e një kodi ose njoftimi për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër, pa e kërkuar vetë përdoruesi. Në raste të tilla, kodi nuk duhet ndarë dhe kërkesa nuk duhet autorizuar.

KOS-CERT rekomandon gjithashtu mbrojtjen e email-it të lidhur me WhatsApp-in, duke përdorur një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë.

Qytetarët paralajmërohen të mos ndajnë fjalëkalime, kode apo të dhëna personale edhe nëse kërkesa duket sikur vjen nga një person i njohur, pasi llogaria e tij mund të jetë komprometuar.

Nëse dikush dyshon se i është marrë llogaria, këshillohet të përdorë vetëm kanalet zyrtare të WhatsApp-it për rikuperim dhe ta raportojë rastin te KOS-CERT.

Institucioni ka bërë të ditur se monitorimi i situatës do të vazhdojë, ndërsa publiku do të njoftohet për çdo zhvillim të rëndësishëm përmes kanaleve zyrtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit