Kosova po mbytet nga importet/ Afro 5 miliardë euro mallra nga jashtë në vetëm 8 muaj
Kosova vazhdon të blejë miliarda euro mallra nga jashtë, ndërsa eksportet mbeten vetëm një pjesë e vogël e faturës së importeve.
Vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, nga janari deri në gusht, në Kosovë janë importuar mallra me vlerë plot 4.97 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm 726.5 milionë euro.
Rezultati? Një deficit tregtar prej rreth 4.25 miliardë eurosh.
Dhe hendeku vetëm sa po zmadhohet.
Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, deficiti ishte rreth 3.73 miliardë euro, që do të thotë se brenda një viti është rritur me rreth 520 milionë euro. Krahasuar me vitin 2024, rritja kalon 800 milionë euro.
Muaji kur Kosova hapi më së shumti “portofolin” për mallrat e huaja ishte korriku, me 717 milionë euro importe, ndërsa në gusht u regjistruan edhe 665.4 milionë euro të tjera.
Dy vendet që përfitojnë më së shumti nga tregu kosovar janë Kina dhe Gjermania. Nga Kina janë importuar mallra në vlerë 674.7 milionë euro, ndërsa nga Gjermania 670.2 milionë euro.
Ndërkohë, prodhimet e Kosovës vazhdojnë të gjejnë treg kryesisht te fqinjët. Eksportet drejt Maqedonisë së Veriut arritën në 119.3 milionë euro, ndërsa drejt Shqipërisë në 118.7 milionë euro.
Edhe pse eksportet janë rritur krahasuar me vitin e kaluar, ritmi i importeve është shumë më i lartë.
Në janar-gusht 2025, Kosova kishte importuar rreth 4.33 miliardë euro mallra dhe kishte eksportuar vetëm 604.5 milionë euro. Në vitin 2024 importet ishin 4.047 miliardë euro, ndërsa eksportet 612.8 milionë euro.
Pra, çdo vit hyjnë më shumë mallra nga jashtë, ndërsa prodhimi vendor vazhdon ta ketë të vështirë të fitojë terren përballë importeve.
Edhe viti 2025 kishte thyer rekord, me 7.11 miliardë euro importe gjatë gjithë vitit, kundrejt vetëm 943 milionë euro eksporte.