Amerika ekzekuton një grua për herë të parë pas më shumë se 200 vitesh

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 27.09.2026, 12:00

Christa Pike, e dënuar me vdekje për vrasjen brutale të 19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995, pritet të ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës më 30 shtator në Tennessee, SHBA. Pike ishte vetëm 18 vjeçe në kohën e krimit, ndërsa bashkë me të dashurin e atëhershëm, Tadaryl Shipp, rrahu dhe torturoi Slemmer, të cilën e kishte njohur në një kamp trajnimi për të rinj me probleme. Avokatët e Pike po kërkojnë pezullimin e ekzekutimit, duke argumentuar se ajo kishte kaluar një fëmijëri të rëndë, të shoqëruar me abuzime seksuale, dhunë, braktisje dhe neglizhencë.

Sipas mbrojtjes, një psikologe mjekoligjore kishte dokumentuar që në vitin 1995 abuzimet e rënda që Pike kishte përjetuar që në fëmijëri, ndërsa gjatë viteve të fundit ajo është diagnostikuar edhe me çrregullim bipolar. Avokatët kanë paraqitur një kërkesë prej 226 faqesh për falje dhe kanë kërkuar që dënimi me vdekje të zëvendësohet. Edhe ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut kanë kërkuar ndalimin e ekzekutimit. Megjithatë, gjykatat nuk i kanë konsideruar këto argumente të mjaftueshme për ndryshimin e dënimit, ndërsa këtë javë Gjykata e Lartë e Tennessee refuzoi kërkesën për pezullimin e ekzekutimit.

Vendimi i fundit që mund ta ndalojë ekzekutimin i takon guvernatorit të Tennessee, Bill Lee, i cili deri tani nuk ka dhënë falje në një çështje me dënim me vdekje. Nëna e viktimës, May Martinez, ka deklaruar se prej më shumë se tri dekadash pret ekzekutimin e Pike dhe se dëshiron që vajza e saj të prehet më në fund e qetë. Ndërkohë, Pike ka kërkuar që gjatë ekzekutimit të shoqërohet vetëm nga gra, duke argumentuar se kontakti fizik me burra do t’i rikthente traumat e së kaluarës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit