Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit në fshatin Lutogllav të Prizrenit.
Sipas informacioneve paraprake, një veturë tip VW Passat, e cila po lëvizte në drejtim të Prizrenit, ka dalë nga rruga pranë shkollës fillore “Besim Ndrecaj”.
Dyshohet se drejtuesi i automjetit nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e cila ishte e lagësht dhe në errësirë. Pas humbjes së kontrollit, vetura është rrotulluar dhe ka përfunduar jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit, 20-vjeçari Orlent Xhafiqi ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit, 19-vjeçari Yll Latifi, ka mbetur i lënduar dhe po trajtohet në Spitalin e Prizrenit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.