Plagosja e 10-vjeçares shqiptare në Athinë, mediat greke: Babai i saj ka hesape me një të burgosur të rrezikshëm

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.09.2026, 12:04

Të shtëna me armë tronditën Athinën pak para mesnatës së të premtes, ndërsa një vajzë 10-vjeçare mbeti e plagosur gjatë një sulmi ndaj një kafeneje në zonën e Agios Panteleimonas.

Sipas informacioneve paraprake, katër persona që ndodheshin në një automjet iu afruan lokalit në rrugën Agorakritou dhe hapën zjarr drejt tij. Gjatë breshërisë së plumbave, një prej tyre dyshohet se ka rikoshetuar dhe ka goditur vajzën në këmbë.

E mitura u dërgua për trajtim në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou”, ku raportohet se ka marrë plagë të lehta.

Hetimin e ngjarjes e ka marrë përsipër Departamenti i Shantazheve i Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar. Në fokusin e autoriteteve është pronari i kafenesë, i cili sipas mediave greke është me origjinë shqiptare.

Hetuesit po verifikojnë të kaluarën e tij, pasi sipas informacioneve ai është liruar nga burgu në vitin 2021, pas përfshirjes në një çështje që lidhej me një plantacion të paligjshëm dhe një rast të tentativës për vrasje.

Në kuadër të hetimeve, policia ka gjetur një automjet të djegur në Aspropyrgos. Brenda tij dyshohet se është gjetur një kallashnikov, i cili pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve kriminalistike për të verifikuar nëse është përdorur në sulm.

Autoritetet po hetojnë edhe pistën e një konflikti të mundshëm personal apo për çështje të tjera, ndërsa po verifikohet edhe një përplasje e dyshuar e pronarit me një person tjetër me origjinë shqiptare, i cili ndodhet në burg për çështje të rënda.

Pavarësisht se shënjestra e sulmit duket se ka qenë kafeneja, të shtënat rrezikuan edhe personat që ndodheshin në zonë, duke përfunduar me plagosjen e një fëmije që ndodhej aty pranë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit