Pas alarmit të dhënë për hyrjen në Shqipëri të një loti të kontaminuar djathi "Brie" nga Italia, zbardhet nga mediat lista e plotë me emrat e 44 subjekteve ku ky produkt i rrezikshëm për shëndetin është shpërndarë dhe konsumuar.
Produkti i importuar më 16 korrik 2026 nga kompania “INITALY RISTO & GUSTO” ka përfunduar në pjata e disa prej hoteleve dhe restoranteve më të frekuentuara në gjashtë qarqe të vendit.
Ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë se bakteri Listeria monocytogenes është veçanërisht i rrezikshëm sepse mbijeton e shtohet edhe në temperaturat e frigoriferit. Sipas OBSH-së, sëmundja që ai shkakton (listerioza) ka një shkallë vdekshmërie deri në 30% te personat vulnerabël.
Sanksionet ndaj importuesit: Nga verifikimet e kryera, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) konstatoi se kompania importuese “INITALY RISTO & GUSTO”, me administratore Brunilda Isufin, nuk kishte garantuar sistemin e gjurmueshmërisë së produktit në treg. Për këtë shkelje, ndaj subjektit importues është vendosur masë administrative me gjobë.