Mbeturina kudo në Sukth Vendas, banori: “Nuk ka kosha, hidhen edhe në lumin Ishëm”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 25.09.2026, 20:35

Një banor i fshatit Sukth Vendas, në rrethin e Krujës, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar mungesën e koshave dhe kontejnerëve të mbeturinave në zonë.

Sipas tij, mungesa e pikave të grumbullimit ka bërë që mbeturinat të hidhen në anë të rrugëve dhe në zona të ndryshme përreth fshatit, ndërsa ai pretendon se disa prej tyre përfundojnë edhe në lumin Ishëm.

Në pamjet e dërguara në redaksi shihen grumbullime të mëdha me qese plastike, shishe, kartona dhe mbetje të tjera shtëpiake përgjatë një rruge dytësore të paasfaltuar, në një zonë pranë banesave.

Banori thotë se për problemin është bërë ankesë te kryeplaku i fshatit dhe në Bashkinë Krujë, por sipas tij deri tani nuk është marrë masë.

Ai pretendon gjithashtu se makina e mbledhjes së mbeturinave shkon deri në fshatin Gramëz, rreth 1 kilometër larg Sukthit Vendas, ndërsa në fshatin e tyre nuk ka kosha apo kontejnerë për mbetjet.

Banorët kërkojnë një zgjidhje për grumbullimin e mbeturinave dhe ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për situatën e krijuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit