Një tjetër ngarkesë me mish të skaduar është ndaluar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, ndërsa destinacioni i saj ishte Kosova.
Sipas mediave malazeze, një kontejner me 24 tonë mish viçi të ngrirë nga Brazili u bllokua në Portin e Tivarit, pasi gjatë kontrollit u konstatua se produkti kishte kaluar afatin e përdorimit.
Ngarkesa, e porositur nga kompania kosovare “Apetit SHPK”, përmbante 1,321 paketa mish me peshë totale 24,650 kilogramë.
Autoritetet malazeze bënë me dije se afati i përdorimit kishte skaduar më 14 maj 2026. “Gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar”, njoftoi Administrata Doganore e Malit të Zi.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që ngarkesa të tilla mishi ndalohen në Mal të Zi. Më herët u bllokuan edhe tre kontejnerë të tjerë me rreth 77 tonë mish viçi, ku dyshohet se etiketat me afatin e skaduar ishin zëvendësuar me etiketa të tjera me data të ndryshme.
Autoritetet malazeze kanë njoftuar edhe Organizatën Botërore të Doganave për rastet, ndërsa kanë bërë të ditur se në total kanë ndaluar tranzitin e afro 103 tonë mish viçi.
Kompania “Apetit SHPK”, me seli në Obiliq, është një nga kompanitë e njohura në Kosovë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të mishit.