Më 25 shtator 2024, publikuan denoncimin për një tender të Bashkisë së Tiranës me vlerë mbi 700 milionë lekë me TVSH, të fituar nga “One Albania”, procedurë e shënuar me “Flamur të Kuq” për skualifikimin e operatorëve të tjerë. Në atë kohë, ngritëm pikëpyetje edhe për marrëdhëniet mes “One Albania” dhe kompanisë “Gogel”, të lidhur me Arbër Veliajn, duke pyetur nëse paratë publike mund të përfundonin në mënyrë indirekte në rrethin financiar të familjes Veliaj.
Sipas denoncimit të atëhershëm, skema e dyshuar ishte e thjeshtë: Bashkia e Tiranës jepte kontrata publike, ndërsa kompanitë përfituese kishin marrëdhënie biznesi me “Gogel”, e cila ofronte shërbime marketingu. Këto pretendime u shoqëruan me pikëpyetje të forta mbi konfliktin e interesit dhe përdorimin e parave publike. Megjithatë, pretendimet për një skemë të tillë mbeten për t’u provuar nga autoritetet dhe gjykata.
Sot, dy vite më pas, pyetja mbetet po aq e fortë, çfarë është bërë me këto pikëpyetje? A janë verifikuar deri në fund marrëdhëniet mes Bashkisë së Tiranës, “One Albania” dhe “Gogel”? A ka pasur konflikt interesi apo jo? Dhe mbi të gjitha, a do të japë SPAK një përgjigje përfundimtare për publikun, apo këto dyshime do të mbeten edhe më tej në sirtarët e hetimeve? Paratë janë të taksapaguesve dhe qytetarët presin jo thjesht deklarata, por përgjigje konkrete.