Një tarifë e re për automjetet që hyjnë në qendër të Prishtinës pritet të diskutohet sot në Kuvendin Komunal.
Në kuadër të Rregullores për Tarifa të Kryeqytetit është propozuar vendosja e një pagese prej 2 eurosh në ditë për secilën veturë që futet në zonën e kufizuar të lëvizjes në qendër.
Zona ku do të aplikohej kjo masë përfshin disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, mes tyre “Fehmi Lladrovci”, “Xhevë Lladrovci”, “Afrim Zhitia”, “Agim Ramadani”, “Ilir Konushevci”, “Hekurudha”, “Sami Plakolli”, “Zagrebi”, “Tirana”, “Jusuf Gërvalla” dhe “5 Maji”.
Sipas ekspertëve të komunikacionit, kjo masë mund të rëndojë qytetarët që frekuentojnë shpesh qendrën. Eksperti Nol Dedaj ka llogaritur se për një person që hyn çdo ditë pune në këtë zonë, kostoja mund të arrijë rreth 40 euro në muaj.
“Janë 2 euro në ditë. Në javë 10 euro e në muaj 40 euro. Cila është arsyeshmëria?”, është shprehur ai.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar kundërshtimin e kësaj tarife, duke argumentuar se Prishtina nuk ka ende një alternativë funksionale të transportit publik që do t’u mundësonte qytetarëve të heqin dorë nga veturat.
Nga ana tjetër, pas reagimeve të shumta, në draft-rregullore janë hequr disa tarifa të propozuara më herët, përfshirë edhe pagesën prej 10 eurosh për automjetet që hyjnë në kryeqytet nga komunat e tjera.