Gjatë protestës së mbrëmjes së sotme, protestuesit kanë pikasur në një lokal deputetin e Partisë Socialiste, Bledi Çuçin, i cili ndodhej i ulur së bashku me bashkëshorten e tij, Delina Fico.
Sapo e kanë pikasur, qytetarët i janë drejtuar Çuçit me thirrjet “Burg, burg!” dhe “Hajdut!”, teksa protestuesit vijojnë prej 117 ditësh revoltën kundër qeverisë dhe të gjithë klasës politike.
Por përgjigjja e Çuçit nuk ka qenë fort diplomatike. Në pamjet e siguruara nga protesta, deputeti shihet duke iu drejtuar qytetarëve me gishtin e mesit, ndërsa situata përshkallëzohet më tej.
Aty ndërhyn bashkëshortja e tij, Delina Fico, e cila duket se e ka humbur toruan. Sipas pamjeve, ajo merr fillimisht një lugë dhe më pas një shishe uji, duke i qëlluar në drejtim të protestuesve.
Një skenë që vështirë të quhet një darkë e qetë: nga “burg, hajdut” te gishti i mesit dhe më pas lugë e shishe në ajër.
Protesta vijon prej 117 ditësh, ndërsa qytetarët kanë vijuar të përballen me përfaqësues të politikës, në një revoltë kundër qeverisë dhe klasës politike që ka drejtuar vendin ndër vite.