Kosova e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Irlandën me rezultatin 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” e nisën furishëm takimin dhe krijuan disa raste të mira gjatë pjesës së parë. Vedat Muriqi ishte vazhdimisht rrezik për mbrojtjen irlandeze, por goli mungoi në 45 minutat e para.
Edhe fati ishte në anën e Irlandës në një moment, pasi mbrojtësi Egan largoi topin nga vija fatale dhe i mohoi Kosovës avantazhin.
Pas pushimit, loja u bë më e ekuilibruar, por Kosova vazhdoi të kërkonte golin e fitores. Në minutën e 84-t erdhi momenti i Muriqit.
Sulmuesi kosovar u pozicionua perfekt në zonë dhe me një goditje të fuqishme me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën në “Fadil Vokrri”.
Vetëm pak minuta më vonë, Muriqi pati edhe rolin e asistuesit për Ermal Krasniqin, por ky i fundit nuk arriti ta konkretizonte rastin.
Irlanda kërkoi barazimin në fund, por Kosova rezistoi dhe mori tri pikët e para në Ligën e Kombeve. “Dardanët” e nisën kështu me fitore rrugëtimin e tyre në këtë kompeticion.