Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të rrezikshme në Burrel, përballë Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Mat dhe pranë zyrave të OSHEE-së.
Në foton e dërguar në redaksi shihet një automjet elektrik i ndaluar mbi vijat e bardha, ndërsa kablloja e karikimit është shtrirë përmes trotuarit, duke penguar kalimin e këmbësorëve.
Sipas denoncuesit, situata ka krijuar rrezik për qytetarët, ndërsa ai pretendon se për pak sa nuk është rrëzuar një çift i moshuar.
“Ju lutem mundeni ta publikoni se për pak sa nuk thyen kokën një çift i moshuar, edhe punonjësit e OSHEE-së, me në krye Erion Gjestilën, zgjërdheshin dhëmbët para tyre.”
Kablloja e shtrirë në trotuar krijon një pengesë për kalimtarët, ndërsa parkimi i automjetit mbi vijat e bardha pengon gjithashtu kalimin normal të këmbësorëve.
Qytetari kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën dhe të marrin masat e nevojshme për eliminimin e rrezikut.
JOQ Albania publikon fotografinë dhe denoncimin, ndërsa mbetet e hapur për një reagim nga OSHEE dhe strukturat përgjegjëse lidhur me situatën.