Delegatët braktisën sallën gjatë fjalimit të tij në OKB, Netanyahu: Dilni jashtë, frikacakë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.09.2026, 20:48

Një skenë e pazakontë është regjistruar sot në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, gjatë fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme.

Teksa Netanyahu pritej të merrte fjalën, një numër i madh delegacionesh u ngritën nga vendet e tyre dhe u larguan nga salla. Raportime të publikuara gjatë ditës flasin për rreth 77 delegacione që braktisën sallën, ndërsa pamjet tregojnë një pjesë të konsiderueshme të vendeve të mbetura bosh.

Largimi i delegatëve ndodhi në një moment kur Netanyahu po niste fjalimin e tij, ndërsa kryeministri izraelit reagoi drejtpërdrejt ndaj atyre që po largoheshin.

“Për të gjithë frikacakët që duan të largohen, ju lutem, bëjeni tani”, tha Netanyahu, duke iu referuar delegacioneve që po dilnin nga salla.

Fjalimi i Netanyahu-t u zhvillua në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, ndërsa politika e Izraelit në Gaza dhe veprimet e tij ushtarake në rajon kanë shkaktuar kritika të forta nga një numër vendesh. Para fjalimit, misioni palestinez në OKB u kishte bërë thirrje delegacioneve që të largoheshin nga salla gjatë adresimit të kryeministrit izraelit.

Edhe jashtë selisë së OKB-së pati protesta kundër Netanyahu-t, ku qindra persona u mblodhën në New York dhe pati edhe arrestime, sipas raportimeve të mediave.

Pamjet nga salla, me delegacione që largohen ndërsa Netanyahu merr fjalën dhe me pjesën e mbetur të publikut të ulur në një sallë dukshëm të boshatisur, janë përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit