Itali: Shqiptari vdes pasi ra në gropën e ashensorit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.09.2026, 20:03

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Padova të Italisë, ku Altin Kokici, një 51-vjeçar me origjinë shqiptare, është gjetur i vdekur gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes në një kantier ndërtimi ku po kryheshin punime rikonstruksioni.

Viktima, i cili ishte pronar i një kompanie ndërtimi në Sossano (provinca e Vicenzës), dyshohet se ka rënë aksidentalisht në hapësirën e ashensorit të ndërtesës, rënie e cila i ka marrë jetën.

Alarmi u ngrit nga familjarët e 51-vjeçarit, pasi ai nuk kishte dhënë asnjë njoftim që prej orëve të para të pasdites. Përmes opsionit të gjeolokalizimit në telefon, familjarët reaguan kur panë se celulari i tij figuronte ende te zona e kantierit, ndërkohë që furgoni i tij i punës ndodhej i parkuar pranë ndërtesës me derën e ngarkesës ende të hapur.

Efektivët e policisë së Padovës hynë në objekt gjatë natës dhe i ranë numrit të celularit të 51-vjeçarit. Tingulli i ziles i udhëhoqi ata drejt hapësirës së ashensorit, ku gjetën trupin pa shenja jete të shqiptarit.

Në vendngjarje ndërhynë me shpejtësi shërbimet e urgjencës mjekësore (118) dhe ekipet e zjarrfikësve. Aktualisht, autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti fatal në punë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit