Një banor i një pallati në zonën e Liqenit të Thatë, Tiranë, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e garazhit dhe shërbimet e administrimit të pallatit.
Sipas tij, banorët paguajnë tarifë mujore administrimi, ku përfshihen edhe pastrimi i garazheve dhe dezinfektimi i ambienteve, por këto shërbime, sipas tij, nuk po kryhen në mënyrën e parashikuar.
Në pamjet e dërguara në redaksi shihen qese me mbetje të lëna në ambientet e garazhit, ndërsa në një prej pamjeve dallohet edhe një mi i ngordhur.
Në dokumentin e shërbimeve të administrimit të afishuar në pallat, ndër shërbimet e parashikuara përfshihet pastrimi i garazheve 3 herë në muaj, si dhe dezinfektimi i ambienteve nga brejtës të ndryshëm.
Banori pretendon se kompania ka marrë përsipër administrimin prej rreth tre muajsh, por sipas tij, dezinfektimi nuk është kryer dhe gjendja e garazhit vijon të jetë problematike.
“Në pallatin ku jetojmë paguajmë tarifa edhe për pastrimin e garazhit dhe jo vetëm që nuk bëhet, por qeset me plehra vazhdojnë të qëndrojnë aty çdo ditë. Të ankohesh përditë dhe të mos marrësh asnjë zgjidhje, vetëm tallje më duket skandaloze.”
Ai ngre shqetësime edhe për ndriçimin në ambientet e përbashkëta, duke pretenduar se në disa pjesë të shkallëve dhe garazhit banorët lëvizin në errësirë deri në ndezjen manuale të dritave.
Sipas dokumentit të administrimit, shërbimet ofrohen nga “ALBANIA DIVING CENTER” sh.p.k. (ADC), me administrator Viktor Vokkri.
Banori kërkon që firma përgjegjëse të reagojë dhe të kryejë shërbimet për të cilat banorët paguajnë tarifën e administrimit.
JOQ Albania publikon denoncimin, pamjet dhe dokumentin e shërbimeve, ndërsa mbetet e hapur për një reagim nga kompania e administrimit dhe banorët lidhur me situatën e krijuar.