President Begajt i del gjumi: Zgjidh skandalin e SHISH-it me një takim me vartësit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.09.2026, 13:12

Tri ditë pas lajmeve që tronditën opinionin publik për arrestimin e drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe ndërsa zërat për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare po bëhen gjithnjë e më të fortë, Presidenca më në fund dha një shenjë jete.

Jo, nuk u thirr Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Nuk pati as ndonjë qëndrim të fortë publik. As ndonjë shpjegim që të ndihmonte publikun të kuptonte çfarë po ndodh në një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë së vendit.

Pati një takim.

Presidenti Bajram Begaj priti në zyrë Ministrin e Brendshëm Ervin Demo, Drejtorin e Policisë Skënder Hita dhe Drejtorin e komanduar të SHISH-it, Elvis Lila. Dhe pas këtij takimi, Presidenca publikoi njoftimin që tashmë është kthyer në një lloj formule automatike: Presidenti “u informua dhe diskutoi mbi çështje të aktualitetit”.

Çfarë aktualiteti? Çfarë u diskutua? Çfarë u vendos? A ka një situatë të jashtëzakonshme në sistemin e sigurisë kombëtare? A do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare?

Për këto, publiku mund të presë edhe pak. Presidenca nuk e pa të arsyeshme të shqetësohej me detaje të tilla.

Pas tri ditësh heshtje, Kreu i Shtetit duket se ka zgjedhur formulën më të sigurt: të takohet me drejtuesit e institucioneve, të bëjë një fotografi dhe të lërë gjithçka të mbështillet me termin magjik “aktualitet”.

Në një situatë që kërkon qartësi institucionale, Presidenca prodhoi një njoftim administrativ.

Në një moment kur pritej që Presidenti të tregonte peshën e institucionit që përfaqëson, ai na kujtoi edhe një herë se mund të mjaftojë edhe një takim rutinë për të krijuar përshtypjen se diçka po ndodh.

Dhe kështu, ndërsa SHISH-i përballet me një prej goditjeve më serioze të kohëve të fundit, Presidenca vazhdon të luajë rolin e spektatorit me protokoll: sheh, dëgjon, “informohet” dhe, mbi të gjitha, njofton.

Në fund të fundit, shteti funksionon. Të paktën në fotografi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit