Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për ndryshimin e kufizimeve të vizitave ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të rastit ku ai akuzohet për tentim-pengim të drejtësisë.
Gjyqtari Christopher Gosnell vendosi më 21 shtator që ndalimi i vizitave të vazhdojë vetëm për katër persona të caktuar, ndërsa kufizimet për vizitorët e tjerë janë hequr me efekt të menjëhershëm.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, vizitat e personave të lejuar do të zhvillohen nën mbikëqyrje aktive.
Gjyqtari ka vlerësuar se zhvillimi i procesit gjyqësor ka ulur ndjeshëm rrezikun e ndikimit te dëshmitarët, por ka vendosur se masat ndaj katër individëve mbeten të nevojshme për të mbrojtur integritetin e procesit.
Këto kufizime pritet të rishikohen sërish në dhjetor të vitit 2026.
Ndërkohë, në një vendim tjetër të 16 shtatorit, Trupi Gjykues II kishte pezulluar përkohësisht kufizimin e numrit të vizitave personale për Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, duke lejuar vizita shtesë gjatë periudhës 16-21 shtator.