Kosova me deficit tregtar 568 milionë euro në gusht, importet shumë më të larta se eksportet

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.09.2026, 09:09

Kosova ka regjistruar një deficit tregtar prej 568 milionë eurosh gjatë muajit gusht 2026, pasi vlera e mallrave të importuara ka qenë disa herë më e lartë se ajo e eksporteve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet gjatë gushtit arritën në 100.5 milionë euro, duke mbuluar vetëm rreth 15% të importeve, ndërsa importet kapën vlerën e 668.5 milionë eurove.

Krahasuar me gushtin e vitit 2025, eksportet u rritën me 31.9%, ndërsa importet me 9%. Megjithatë, diferenca mes mallrave të shitura jashtë vendit dhe atyre të blera nga jashtë u thellua, duke shkuar nga 536.8 milionë euro në 568 milionë euro.

Në eksportet e Kosovës dominojnë metalet bazë dhe produktet prej tyre me 21.8%, ndërsa pas tyre renditen produktet minerale me 15.5%, ushqimet, pijet dhe duhani me 13.3%, plastika dhe goma me 8.8%, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar me 6.5%.

Nga ana tjetër, importet kryesohen nga produktet minerale me 19.8%, ushqimet dhe pijet me 13.1%, mjetet e transportit me 11.7%, makineritë dhe pajisjet elektrike me 11.5%, si dhe metalet bazë me 8%.

Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, Kosova eksportoi rreth 30 milionë euro mallra në vendet e BE-së, ndërsa importoi rreth 279 milionë euro. Partnerët kryesorë për eksport ishin Gjermania, Italia dhe Holanda, ndërsa për importet dominuan Gjermania, Italia dhe Polonia.

Shifrat tregojnë një varësi të lartë të ekonomisë së Kosovës nga importet, ndërsa eksportet vazhdojnë të mbeten në nivele dukshëm më të ulëta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit