“Ka një vit që bënë sikur ndërhynë”/ Rruga “Maksut Dërrasa” mbetet e papërfunduar, kalojnë nxënësit e 3 institucioneve

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 24.09.2026, 00:58

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rrugës “Maksut Dërrasa” në Njësinë 9, Tiranë.

Rruga është pjesë e një projekti rehabilitimi të infrastrukturës së Bashkisë Tiranë, ndërsa dokumentet teknike e përshkruajnë një pjesë të saj si të dëmtuar dhe pa infrastrukturën e nevojshme.

Sipas denoncuesit, edhe pse ndërhyrjet kanë nisur prej rreth një viti, situata në terren vijon të jetë problematike.

Në pamjet e dërguara në redaksi shihet rruga e paasfaltuar, me dhe, pluhur, gropa dhe materiale të mbetura nga punimet. Në një segment dallohen edhe një gropë e hapur dhe një ekskavator i parkuar.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të institucioneve arsimore që ndodhen në këtë zonë.

Rruga kalon përpara shkollës “Vaçe Zela”, ndërsa pranë saj ndodhet edhe gjimnazi “Kristo Frashëri”. Bashkia e Tiranës konfirmon gjithashtu kopshtin pranë shkollës “Vaçe Zela”.

“Përshëndetje JOQ News Albania! Kjo është rruga Maksut Dërrasa në Njësinë 9, Tiranë. Ka një vit që bënë sikur ndërhynë dhe gjendja është kjo në video. Në këtë rrugë do të kalojnë nxënësit e tre institucioneve arsimore: kopshti, shkolla Vaçe Zela, gjimnazi Kristo Frashëri. Ju lutem publikojeni për hir të fëmijëve!”

Pamjet tregojnë se në disa pjesë rruga mbetet e gërmuar dhe e papërfunduar, ndërsa lëvizja e këmbësorëve është e vështirësuar nga dheu, zhavorri dhe materialet e punimeve.

Duke qenë se bëhet fjalë për një aks që përdoret nga nxënësit dhe banorët e zonës, qytetari kërkon që punimet të përfundojnë dhe rruga të vihet në funksion të plotë.

JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin e qytetarit, ndërsa kërkon nga strukturat përgjegjëse të sqarojnë ecurinë e projektit dhe afatin e përfundimit të punimeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit