Dy kushërinj shqiptarë janë dënuar me burg në Britani, pasi përdorën banesën e një personi vulnerabël në Peterborough si bazë për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Petrit Kolendreu, 27-vjeç, u kap nga Policia më 29 shtator të vitit të kaluar, gjatë një kontrolli në një apartament në rrugën “Whitsed”, në zonën Eastfield.
Sipas Policisë së Cambridgeshire, në momentin e ndërhyrjes Kolendreu tentoi të largohej duke dalë nga një dritare në katin përdhes dhe u vu në ndjekje nga efektivët. Ai u kap pak më vonë në afërsi të banesës.
Gjatë kontrollit, Policia gjeti një sasi kokaine me vlerë deri në 1,280 paund, e cila dyshohej se ishte destinuar për shitje, si dhe një sasi tjetër të vogël kokaine të hedhur në çatinë e një banese pranë.
Në apartament u gjet edhe një telefon që, sipas hetuesve, përdorej nga Kolendreu dhe kushëriri i tij, Xhovani Gjonaj, 29 vjeç, për aktivitetin e shpërndarjes së drogës. Telefoni përmbante mesazhe të shumta që lidhen me shitjen e lëndëve narkotike.
Gjonaj u arrestua gjatë një operacioni të njëkohshëm në të njëjtin bllok pallatesh. Në banesën ku u gjet ai, Policia sekuestroi një tjetër telefon të lidhur me aktivitetin e shpërndarjes dhe një thikë të gjetur në një palë pantallona.
Sipas hetimit, dy kushërinjtë përdornin emrat “Micky” dhe “Jerry” gjatë aktivitetit të tyre.
Policia e përshkroi rastin si “cuckooing”, një fenomen ku persona të përfshirë në shpërndarjen e drogës marrin nën kontroll ose përdorin banesën e një personi vulnerabël për aktivitetin kriminal.
Të dy 27-vjeçari Kolendreu dhe 29-vjeçari Gjonaj pranuan akuzat për posedim me qëllim shpërndarjen e kokainës dhe përfshirje në shpërndarjen e një droge të kategorisë A.
Në Gjykatën e Kurorës në Cambridge, Gjonaj u dënua me 52 muaj burg, ndërsa Kolendreu me 47 muaj burg.
Policia britanike tha se rasti tregon mënyrën se si banesat e personave vulnerabël mund të shfrytëzohen nga rrjetet e shpërndarjes së drogës.