Sherri me thika në Tiranë: Arrestohet autori, i plagosuri në gjendje të rëndë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.09.2026, 23:09

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me plagosjen me thikë të ndodhur mbrëmjen e sotme në një lokal në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë, pranë zonës së shkollës “Petro Nini Luarasi”.

I plagosuri është 49-vjeçari Kreshnik Cara, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës në pjesën e barkut pas një konflikti me 50-vjeçarin Toni Nake.

Cara është transportuar me urgjencë në spital, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe, sipas burimeve, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, Policia ka bërë me dije se ka identifikuar, kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes. Bëhet fjalë për 50-vjeçarin Toni Nake, i cili pas konfliktit ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por arratia e tij nuk zgjati shumë.

Edhe Nake ka mbetur i lënduar gjatë konfliktit dhe është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore.

Sipas Policisë, nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 50-vjeçari ka plagosur me mjet prerës 49-vjeçarin pas një konflikti për motive të dobëta.

“Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Marko Boçari” ishte dëmtuar me mjet prerës shtetasi K. C., 49 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi T. N., 50 vjeç. Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 50-vjeçari ka plagosur me mjet prerës 49-vjeçarin, pas një konflikti për motive të dobëta.

I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton Policia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit