Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, ku, sipas saj, një 19-vjeçar i ka përplasur makinën nga pas dhe më pas nuk i është përgjigjur më për të zgjidhur dëmet e shkaktuara.
Në videon e dërguar në redaksi, qytetarja tregon se ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, rreth orës 14:00, teksa ajo ishte duke udhëtuar drejt Tiranës. Sipas saj, trafiku ishte i rënduar dhe automjetet po lëviznin me shpejtësi të ulët, ndërsa ajo pretendon se nuk kishte kryer frenim të papritur.
Pas përplasjes, ajo thotë se ka zbritur nga makina dhe ka konstatuar se drejtuesi tjetër ishte një i ri 19-vjeçar nga Durrësi. Sipas qytetares, të dy janë shqetësuar nga aksidenti, por i riu i ka kërkuar numrin e telefonit, duke i thënë se dëmi do të zgjidhej mes tyre.
“Rëndësi ka që kemi shpëtuar të dy dhe jemi mirë”, tregon ajo se i ka thënë të riut në ato momente.
Qytetarja ka vënë në dispozicion të redaksisë edhe të dhënat e identifikimit të drejtuesit tjetër, përfshirë kartën e identitetit, të cilën sipas saj ai ia ka dhënë vetë në vendngjarje. Megjithatë, sipas saj, menjëherë pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes, situata ka ndryshuar.
Ajo thotë se ka telefonuar dhe i ka shkruar disa herë të riut, por nuk ka marrë përgjigje dhe më pas numri i saj është bllokuar. Sipas saj, edhe persona të afërt me të kanë tentuar ta kontaktojnë, por pa rezultat.
“Vetëm kushërira e tij më tha që ai është shumë i indinjuar me ty”, shprehet qytetarja, duke shtuar se nuk e kupton arsyen e këtij reagimi, pasi pretendon se ka zgjedhur fillimisht ta zgjidhë çështjen në mënyrë mirëkuptuese, pa iu drejtuar policisë.
Në mesazhin e dërguar në redaksi, qytetarja thotë se nëse nuk kontaktohet brenda ditës, do t'u drejtohet organeve kompetente për të bërë kallëzim dhe për të kërkuar përgjegjësi për dëmin material, si dhe për shqetësimin që, sipas saj, i është shkaktuar pas ngjarjes.
Ajo i bën thirrje të riut dhe familjarëve të tij që të kontaktojnë me të për të gjetur një zgjidhje.
“Mirëkuptimin dhe mirësjelljen mos ta marrin për dobësi”, shkruan ajo në mesazhin drejtuar JOQ Albania.
Pretendimet e mësipërme i përkasin qytetares denoncuese dhe nuk përbëjnë një konstatim të pavarur të redaksisë. Në rast se pala tjetër dëshiron të japë versionin e saj për ngjarjen, JOQ Albania është e gatshme ta publikojë.