Një situatë e krijuar në një hotel në Golem ka shqetësuar disa pushues, të cilët i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar zhurmën e krijuar nga një grup studentësh nga Kosova.
Në videot e dërguara në redaksi shihen dhjetëra studentë duke kënduar këngë patriotike dhe duke bërë thirrje në mbështetje të UÇK-së, ndërsa shfaqen edhe në ballkonet e hotelit.
Sipas denoncuesve, grupi ndodhet prej disa ditësh në zonë dhe zhurma e krijuar prej tyre po shqetëson pushuesit, përfshirë turistë të huaj. Ata pretendojnë gjithashtu se policia është paraqitur çdo ditë pranë hotelit, por sipas tyre situata vijon.
“Jemi disa pushues në Golem. Në hotelin ngjitur janë disa studentë nga Kosova. Shikojmë që policia vjen çdo ditë për ta dhe nuk ka asnjë zgjidhje. Jemi këtu prej 3 ditësh, kemi ende 7 ditë për të kaluar, por situata është shumë serioze. Shikojmë që çdo turist i huaj ankohet për turizmin në këtë zonë nga zhurma”, shkruan denoncuesi.
Pamjet vijnë në një kohë kur në Kosovë dhe në Shqipëri po zhvillohen protesta dhe reagime publike pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-komandantëve të UÇK-së.
Po ju, si mendoni? Kush ka të drejtë në këtë situatë: pushuesit që ankohen për zhurmën apo studentët nga Kosova?