Komunikime private, takime me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe informacione që, sipas SPAK, i përcilleshin një personi nën hetim. Dosja hetimore ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është menaxhuar informacioni nga drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Sipas materialeve të siguruara nga dosja hetimore, Hyseni ka pranuar se ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me Ergys Agasin deri në ditën e arrestimit të tij. Ajo ka deklaruar se Agasi i kishte ofruar “bashkëpunim”, ndërsa ka mohuar që të ketë dhënë informacione nga SHISH.
Por SPAK, në analizën e komunikimeve të sekuestruara, jep një tjetër këndvështrim dhe pretendon se Agasi nuk shfaqet thjesht në rolin e një “bashkëpunëtori”, por si person që merrte dhe orientonte informacionin.
Dhe pikërisht këtu nis pjesa më e debatueshme e dosjes.
Mesazhet e publikuara në dosje tregojnë një komunikim të shpeshtë mes Hysenit dhe Agasit.
Në një prej tyre, Vlora Hyseni i shkruan Ergys Agasit:
“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë.”
Në një tjetër:
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli ynë.”
Ndërsa në komunikime të tjera shfaqen:
“Të gjithë ne”
dhe
“Do përfundojmë keq, shpirt.”
Sipas SPAK, komunikimet nuk kufizohen vetëm te biseda personale.
Më 24 gusht 2026, sipas dosjes, Vlora Hyseni i shkruan Ergys Agasit:
“Nesër duhet ta takoj KM në 8:30”.
SPAK thotë se Hyseni i përcillte Agasit edhe informacione mbi takimet, itineraret dhe aktivitetin e saj zyrtar.
Në një tjetër komunikim, Hyseni i shkruan:
“Skënderi më thirri me u taku të hënën”.
Më pas:
“Të shpresojmë që ka porosit KM…”
Në dosje, “Skënderi” identifikohet si Skënder Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
Një tjetër pjesë e dosjes lidhet me informacionet për zyrtarë të tjerë të lartë.
Vlora Hyseni i shkruan Ergys Agasit:
“Taulant Balla kryetar Kuvendi…. Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”.
Sipas dosjes, referencat lidhen me Taulant Ballën dhe Belinda Ballukun.
Sipas SPAK, vetëm nga pajisja e Ergys Agasit janë administruar 508 forma komunikimi me Vlora Hysenin, duke përfshirë telefonata, video-thirrje dhe mesazhe.
Për më tepër, komunikimet kanë vijuar edhe gjatë periudhës kur Agasi ishte shpallur në kërkim.
Për një institucion si SHISH, ku informacioni është vetë thelbi i funksionimit, këto të dhëna kanë një peshë të veçantë. Dosja ngre pikëpyetjen se deri ku ka shkuar informacioni që një drejtues i shërbimit sekret mund t’i ketë përcjellë një personi nën hetim dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë së informacionit.
Nuk është thjesht çështja e një komunikimi “mes dy njerëzve”. Është pyetja se çfarë informacioni ka dalë nga rrethi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë informacionin e ndjeshëm të shtetit.
SPAK e ka ngritur këtë si pjesë të hetimit. Përgjegjësia përfundimtare, nëse ka, do të përcaktohet nga organet gjyqësore.