Një qytetar i është drejtuar JOQ Kosovës duke ngritur shqetësim për mënyrën e funksionimit të repartit të Psikiatrisë në Prishtinë.
Sipas tij, familjarët e pacientëve po qëndrojnë në dhoma për t’i ruajtur dhe mbikëqyrur ata, një detyrë që, sipas tij, duhet të jetë përgjegjësi e stafit profesional shëndetësor.
“Si është e mundur që familjari të qëndrojë aty për ta ruajtur pacientin, ndërsa kjo përgjegjësi duhet t’i takojë infermierëve dhe mjekëve? Familjarët janë aty për mbështetje, jo për të zëvendësuar stafin shëndetësor”, shprehet qytetari.
Ai ngre pikëpyetje edhe për mundësinë e mungesës së stafit në këtë repart, duke kërkuar sqarime nga institucionet përkatëse.
“Nëse ka mungesë të infermierëve, pse nuk punësohen profesionistë të rinj, kur ka shumë të diplomuar që kërkojnë punë? Kush mban përgjegjësi për sigurinë dhe kujdesin ndaj pacientëve?”, vijon denoncimi.
Qytetari kërkon që kjo çështje të marrë vëmendje dhe të ketë një përgjigje publike nga përgjegjësit e institucionit.